Economics
Permanent URI for this collectionhttps://repository.aab-edu.net/handle/123456789/7
Browse
162 results
Search Results
Item INTEGRIMI I INTELIGJENCËS ARTIFICIALE NË KONTABILITET: PENGESAT DHE MUNDËSITË NË EKONOMITË NË ZHVILLIM. RAST STUDIMI MALI I ZI(AAB College, 2026-10-20) Bajraktari, NitaKy punim trajton ndikimin e inteligjencës artificiale në proceset kontabël dhe raportimin financiar, duke u fokusuar në perceptimet e profesionistëve lidhur me përfitimet dhe sfidat e saj. Qëllimi kryesor i studimit është të analizojë se si inteligjenca artificiale ndikon në përshpejtimin e proceseve kontabël, reduktimin e gabimeve, përmirësimin e analizës së të dhënave financiare dhe rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë së raportimit financiar. Për realizimin e studimit është përdorur metoda kuantitative, përmes një pyetësori të strukturuar të shpërndarë tek 136 respondentë. Të dhënat janë analizuar përmes statistikave përshkruese, korrelacionit Pearson dhe analizës së regresionit linear, me qëllim vlerësimin e marrëdhënieve ndërmjet variablave të studimit. Rezultatet tregojnë se respondentët kanë një perceptim përgjithësisht pozitiv ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale në kontabilitet. Megjithatë, analizat statistikore (korrelacioni dhe regresioni) nuk kanë identifikuar lidhje apo ndikime statistikisht të rëndësishme ndërmjet variablave të përfshira në studim, duke sugjeruar se perceptimet për secilin aspekt të inteligjencës artificiale janë relativisht të pavarura nga njëra-tjetra. Në përfundim, studimi thekson rëndësinë e inteligjencës artificiale në modernizimin e kontabilitetit, duke nënvizuar nevojën për zhvillim të mëtejshëm teknologjik dhe profesional, në mënyrë që përfitimet e saj të realizohen në mënyrë më efektive në praktikë.Item Vlerësimi i progresit drejt Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 8 – Punë e Denjë dhe Rritje Ekonomike në Kosovë përmes indikatorëve të tregut të punës dhe rritjes ekonomike(AAB College, 2026-10-20) Bakiu, MimozaObjektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm 8 kërkon rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, punësim produktiv dhe punë të denjë për të gjithë. Ky punim vlerëson progresin e Kosovës drejt Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 8 gjatë periudhës 2015–2024 përmes një qasjeje sasiore përshkruese dhe analitike, duke u mbështetur në të dhëna dytësore zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, World Bank dhe Eurostat. Analiza ndërton një matricë indikatorësh që lidh rritjen ekonomike (rritja e PBB-së, PBB për frymë, produktiviteti i punës) me treguesit e tregut të punës (punësimi, papunësia, papunësia e të rinjve, pjesëmarrja në fuqinë punëtore, norma NEET) dhe me cilësinë e punës (pagat mesatare, punësimi informal). Gjetjet tregojnë se Kosova ka shënuar progres real në uljen e papunësisë, veçanërisht të papunësisë së të rinjve, në rritjen graduale të normës së punësimit dhe në uljen e punësimit informal. Megjithatë, ky progres ka qenë i pjesshëm dhe jo plotësisht i balancuar: rritja ekonomike ka qenë më e shpejtë se përmirësimi i produktivitetit, i pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe i cilësisë së punës. Studimi konkludon se Kosova po ecën në drejtimin e duhur drejt Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 8, por me boshllëqe strukturore në produktivitet, përfshirje të të rinjve dhe formalizim të punës, dhe ofron rekomandime për politika të tregut të punës, kapitalit njerëzor dhe produktivitetit.Item Analiza e ndikimit të inflacionit në fuqinë blerëse të familjeve në Kosovë (2015–2025)(AAB College, 2026-10-20) Maloku, LumbardhInflacioni është një nga fenomenet makroekonomike me ndikimin më të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjeve, sepse zvogëlon fuqinë blerëse të të ardhurave dhe rrit koston e jetesës. Qëllimi i këtij punimi është të analizojë ndikimin e inflacionit në fuqinë blerëse të familjeve në Kosovë gjatë periudhës 2015–2025, duke identifikuar fazat kryesore të dinamikave çmimore, grupet më të prekura dhe efektivitetin e masave të politikës ekonomike. Studimi është realizuar si kërkim dokumentar me qasje përshkruese-analitike dhe krahasuese, i mbështetur tërësisht në të dhëna dytësore nga ASK, BQK, FMN, Banka Botërore, UNDP, wiiw dhe literatura akademike relevante. Rezultatet tregojnë se dekada ndahet në katër faza: stabilitet me inflacion shumë të ulët ose negativ (2015–2019), shok pandemik (2020–2021), kulm inflacionist prej 11.6% në vitin 2022 dhe zbutje në 2023–2024 dhe ri-përshpejtim në 2025. Çmimet kumulative u rritën me rreth një të tretën gjatë dekadës, ku pjesa dërrmuese e rritjes ndodhi në vitin 2022, e nxitur kryesisht nga ushqimi, energjia dhe transporti. Analiza konfirmon se inflacioni ka pasur efekt të theksuar regresiv: familjet me të ardhura të ulëta, që shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqim dhe energji, kanë pësuar rënie proporcionalisht më të madhe të fuqisë blerëse. Euroizimi dhe varësia nga importet kufizuan reagimin ndaj goditjeve të importuara, ndërsa masat qeveritare i zbutën pjesërisht, por nuk i kompensuan plotësisht, pasojat. Punimi rekomandon konsolidimin e transfertave të synuara, indeksimin e pensioneve dhe pagave minimale, diversifikimin energjetik dhe forcimin e statistikave të buxhetit familjar. Fjalë kyçe: inflacion,Item KRAHASIMI I SFIDAVE DHE KËRKESAVE TË PENSIONISTËVE NË KOSOVË SIPAS KATËR SKEMAVE KRYESORE TË PENSIONEVE(AAB College, 2026-10-20) Rysha, DelvinaSistemi pensional përbën një mekanizëm të rëndësishëm të mbrojtjes sociale dhe të sigurisë ekonomike të personave që varen nga të ardhurat pensionale. Qëllimi i këtij studimi ishte të krahasojë sfidat dhe kërkesat e pensionistëve në Kosovë sipas katër skemave kryesore pensionale: pensionit bazë jo kontributiv, pensionit kontributiv të moshës, pensionit të invalidëve të luftës dhe pensionit të veteranëve të luftës. Studimi u realizua me qasje sasiore, përmes katër pyetësorëve të strukturuar dhe të harmonizuar, të administruar në territorin e Kosovës, me gjithsej 400 respondentë, nga 100 për secilën skemë. Të dhënat u përpunuan në IBM SPSS Statistics 27. Besueshmëria e shkallëve u vlerësua përmes Cronbach’s Alpha, ku indeksi SFIDAT rezultoi me konsistencë të lartë të brendshme (α=.891). Për testimin e hipotezave u aplikua modeli OLS – Multiple Linear Regression, ndërsa u kontrolluan edhe multikolineariteti, pavarësia dhe shpërndarja e rezidualëve. Për pensionistët bazë jo kontributivë, modeli për SFIDAT nuk ishte i rëndësishëm (R²=.050, p=.300), megjithëse ndihma familjare rezultoi faktor individual i rëndësishëm; modeli për KËRKESAT gjithashtu nuk u mbështet (R²=.019, p=.772). Te pensionistët kontributivë, H2a u mbështet (R²=.171, p=.001), ndërsa H2b nuk u mbështet në tërësi (R²=.090, p=.061), por evidentoi efekt individual të ndihmës familjare. Te invalidët e luftës, H3a u mbështet (R²=.147, p=.004), ndërsa H3b u mbështet pjesërisht (R²=.080, p=.096), pasi shpenzimet mujore rezultuan të rëndësishme. Te pensionistët veteranë të luftës, H4a – SFIDAT u mbështet (R² = .110, p = .025), ku shpenzimet mujore rezultuan parashikues pozitiv dhe statistikisht i rëndësishëm (β = .325, p = .002). Po ashtu, H4b – KËRKESAT u mbështet fuqishëm (R² = .396, p < .001). Në këtë model, të ardhurat e tjera përveç pensionit (β = .172, p = .046), shuma mujore e pensionit (β = .275, p = .001) dhe veçanërisht shpenzimet mujore (β = .557, p < .001) rezultuan faktorë statistikisht të rëndësishëm. Këto rezultate tregojnë se kërkesat e veteranëve lidhen kryesisht me presionin e shpenzimeve dhe gjendjen e tyre ekonomike. Në përgjithësi, shpenzimet mujore rezultuan faktori më i qëndrueshëm i lidhur me sfidat dhe kërkesat, ndërsa te veteranët kërkesat shpjegoheshin edhe nga pensioni dhe të ardhurat e tjera. Rekomandohet përshtatja periodike e pensioneve me koston e jetesës, zgjerimi i mbështetjes sociale dhe shëndetësore dhe orientimi i politikave sipas nevojave specifike të secilës skemëItem Analiza e ndikimit ekonomik të turizmit në Kosovë: Evidencë nga kërkesa turistike dhe shpenzimet e turistëve(AAB College, 2026-10-20) Sopa, BlertaKy studim analizon rolin e turizmit në zhvillimin ekonomik të bizneseve turistike në Kosovë dhe përvojën e turistëve të huaj që vizitojnë vendin. Hulumtimi është mbështetur në një qasje empirike përmes dy pyetësorëve të veçantë: njëri i realizuar me 102 biznesee turistike që operojnë në Kosovë dhe tjetri me rreth 104 turistë të huaj. Analiza është strukturuar mbi tetë pyetje kërkimore, katër për bizneset dhe katër për turistët, duke trajtuar performancën ekonomike, shpenzimet turistike, punësimin, investimet, gatishmërinë e bizneseve, profilin e turistëve, motivet e vizitës, faktorët ndikues dhe vlerësimin e përvojës turistike. Rezultatet nga bizneset tregojnë se turizmi perceptohet si faktor i rëndësishëm i performancës ekonomike, me rritje të numrit të klientëve dhe të ardhurave. Shpenzimi i turistëve vlerësohet relativisht i lartë, ndërsa kategoritë kryesore janë ushqimi dhe pijet, akomodimi, guidat, transporti dhe aktivitetet rekreative. Gjithashtu, aktiviteti turistik lidhet pozitivisht me krijimin e vendeve të punës dhe investimet, ndërsa bizneset vlerësojnë pozitivisht kapacitetet operative, aftësitë e stafit dhe përdorimin e platformave digjitale. Rezultatet nga turistët tregojnë një profil të balancuar gjinor, me dominim të personave të punësuar dhe përfaqësim të lartë nga Gjermania dhe Zvicra. Motivet kryesore të vizitës janë pushimi/rekreacioni dhe vizitat familjare, ndërsa qëndrimi më i zakonshëm është 3–5 net. Bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore dhe historike dhe çmimet e përballueshme rezultojnë ndër faktorët kryesorë tërheqës. Përvoja turistike vlerësohet kryesisht pozitivisht, duke treguar kënaqësi të lartë ndaj destinacionit. Implikimet e studimit sugjerojnë që bizneset të investojnë në cilësi, digjitalizim dhe diversifikim të ofertës; qeveria të mbështesë infrastrukturën, promovimin dhe politikat zhvillimore; ndërsa turistët të përfitojnë nga një ofertë më cilësore, e integruar dhe konkurruese turistike në KosovëItem Ndikimi i menaxhimit të ndryshimeve në rezistencën e punonjësve gjatë transformimit digjital - Rast studimi: Ndërmarrjet prodhuese në Kosovë(AAB College, 2026-10-20) Osmani, KosovarTransformimi digjital po ndryshon mënyrën e organizimit të punës dhe kërkesat ndaj punonjësve në ndërmarrjet prodhuese. Ky studim kishte për qëllim të analizonte ndikimin e menaxhimit të ndryshimeve në rezistencën e punonjësve gjatë transformimit digjital në ndërmarrjet prodhuese në Kosovë. Menaxhimi i ndryshimeve u analizua përmes komunikimit të ndryshimit, trajnimit dhe zhvillimit të aftësive digjitale, përfshirjes së punonjësve dhe mbështetjes së lidershipit. Studimi u realizua përmes qasjes kuantitative. Të dhënat u mblodhën me pyetësor nga 200 punonjës të ndërmarrjeve prodhuese dhe u analizuan përmes statistikave përshkruese, analizës së besueshmërisë, korrelacionit të Pearsonit dhe regresionit linear të shumëfishtë. Rezultatet treguan se dimensionet e menaxhimit të ndryshimeve shpjegonin 62.7% të ndryshimeve në rezistencën e punonjësve. Komunikimi, trajnimi, përfshirja e punonjësve dhe mbështetja e lidershipit kishin ndikim negativ dhe statistikisht të rëndësishëm në rezistencë, ndërsa trajnimi dhe zhvillimi i aftësive digjitale rezultuan faktori me ndikimin më të madh. Gjetjet dëshmojnë se rezistenca mund të zvogëlohet përmes informimit të qartë, përgatitjes së duhur, përfshirjes aktive dhe mbështetjes së vazhdueshme nga lidershipi.Item NDIKIMI I INVESTIMEVE TË HUAJA DIREKTE, IMPORTIT TË SHËRBIMEVE TREGTARE DHE PËRDORUESVE TË INTERNETIT NË RRITJEN VJETORE TË GDP-SË NË KOSOVË(AAB College, 2026-10-20) Krasniqi, FestinaKy punim analizon lidhjen dhe ndikimin e investimeve të huaja direkte (IHD), importit të shërbimeve tregtare (ISHT) dhe përdoruesve të internetit (NPI) në rritjen vjetore të bruto produktit vendor (GDPgr) në Kosovë. Të dhënat janë marrë nga Banka Botërore, të shprehura në dollarë amerikanë, dhe janë përpunuar përmes SPSS 26. Qëllimi i studimit është të vlerësojë nëse këto variabla kanë lidhje dhe ndikim statistikisht të rëndësishëm në rritjen ekonomike të Kosovës. Metodologjia është kuantitative dhe përfshin korrelacionin Pearson, për matjen e lidhjes ndërmjet variablave, dhe regresionin linear të shumëfishtë, për matjen e ndikimit të IHD, ISHT dhe NPI në GDPgr. Rezultatet e korrelacionit tregojnë se hipoteza H1 nuk mbështetet. IHD ka lidhje pozitive, por jo statistikisht të rëndësishme me GDPgr (r = 0.270, p = 0.263). ISHT ka lidhje negative shumë të dobët dhe jo statistikisht të rëndësishme (r = -0.091, p = 0.710), ndërsa NPI po ashtu ka lidhje negative shumë të dobët dhe jo statistikisht të rëndësishme me GDPgr (r = -0.083, p = 0.735). Këto rezultate tregojnë mungesë evidence statistikore për lidhje domethënëse ndërmjet variablave të pavarura dhe rritjes ekonomike. Rezultatet e regresionit linear të shumëfishtë tregojnë se hipoteza H2 mbështetet vetëm pjesërisht. IHD ka ndikim pozitiv dhe statistikisht të rëndësishëm në GDPgr (B = 1.397, p = 0.010), duke u paraqitur si faktori më i rëndësishëm në model. ISHT ka ndikim pozitiv, por jo statistikisht të rëndësishëm (B = 0.168, p = 0.511), prandaj nuk mund të konsiderohet faktor përcaktues i rritjes së GDP-së. Ndërsa NPI rezulton me ndikim negativ dhe statistikisht të rëndësishëm (B = -0.078, p = 0.025), duke sugjeruar se përdorimi i internetit nuk përkthehet automatikisht në rritje ekonomike pa aftësi digjitale, inovacion dhe përdorim produktiv të teknologjisë. Në përfundim, rezultatet tregojnë se IHD ka ndikimin më të qëndrueshëm dhe më domethënës në rritjen ekonomike të Kosovës, ndërsa ISHT dhe NPI nuk e mbështesin plotësisht pritshmërinë teorike të studimit. Rekomandohet orientimi i politikave ekonomike drejt tërheqjes së investimeve të huaja cilësore, forcimit të kapaciteteve digjitale dhe shfrytëzimit më produktiv të teknologjisë dhe shërbimeve tregtare. Implikimet tregojnë se rritja ekonomike varet jo vetëm nga prania e këtyre faktorëve, por edhe nga aftësia institucionale për t’i kthyer në produktivitet, inovacion dhe konkurrueshmëri.Item Ndikimi i Kulturës Organizative në Kënaqësinë në Punë dhe Qëndrueshmërinë e Punonjësve në Administratën Publike të Kosovës(AAB College, 2026-10-20) Reçica, DafinaKy studim analizon ndikimin e kulturës organizative në kënaqësinë në punë dhe në qëndrueshmërinë e punonjësve në administratën publike të Kosovës. Kultura organizative është trajtuar përmes dimensioneve të përfshirjes, konsistencës, përshtatshmërisë dhe misionit, ndërsa kënaqësia në punë dhe qëndrueshmëria janë trajtuar si rezultatet kryesore të studimit. Hulumtimi është realizuar me qasje kuantitative, përmes një pyetësori të strukturuar, me pjesëmarrjen e 250 punonjësve të administratës publike. Të dhënat janë analizuar përmes statistikave përshkruese, korrelacionit Pearson dhe regresionit linear. Rezultatet treguan se perceptimet për kulturën organizative, kënaqësinë dhe qëndrueshmërinë janë përgjithësisht të moderuara. Analizat inferenciale konfirmuan se kultura organizative lidhet pozitivisht dhe ndikon në mënyrë statistikisht të rëndësishme si në kënaqësinë në punë, ashtu edhe në qëndrueshmërinë e punonjësve. Gjetjet theksojnë rëndësinë e forcimit të kulturës organizative për përmirësimin e përvojës së punonjësve dhe ruajtjen e tyre afatgjatë në institucion.Item Roli i sistemit E-Pasuria në menaxhimin e pasurisë jo-financiare: rast studimi i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës(AAB College, 2026-10-20) Mazrekaj, TomorQëllimi kryesor i këtij studimi është të shqyrtojë rolin e sistemit E-Pasuria në përmirësimin e menaxhimit të pasurisë jo-financiare në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Menaxhimi efektiv i pasurisë përbën një komponent kyç të menaxhimit të financave publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në efikasitetin administrativ, transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike. Në këtë kontekst, digjitalizimi i proceseve përmes sistemeve të integruara informative paraqet një mekanizëm të rëndësishëm për përmirësimin e kontrollit dhe vendimmarrjes institucionale. Ky studim përdor një qasje të kombinuar metodologjike (mixed-methods) në kuadër të një studimi rasti institucional. Komponenti kualitativ përfshin analizën e dokumenteve zyrtare, kuadrit ligjor, udhëzimeve administrative dhe raporteve të auditimit për periudhën 2006–2025, ndërsa komponenti kuantitativ bazohet në përdorimin e një pyetësori të realizuar me zyrtarët e përfshirë në menaxhimin e pasurisë jo-financiare në Zyrën e Kryeministrit. Të dhënat janë analizuar përmes statistikës deskriptive dhe analizës tematike të përgjigjeve të hapura. Rezultatet e studimit tregojnë se implementimi i sistemit E-Pasuria ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e proceseve të evidentimit dhe regjistrimit të pasurisë, në rritjen e transparencës dhe në forcimin e kontrollit të brendshëm. Shumica e respondentëve vlerësojnë se sistemi ka kontribuar në standardizimin e procedurave dhe në zvogëlimin e gabimeve në regjistrim dhe raportim. Megjithatë, analiza e raporteve të auditimit evidenton se ende ekzistojnë sfida të lidhura me harmonizimin e inventarizimit, regjistrimin e plotë të pasurive dhe nevojën për përmirësimin e kapaciteteve profesionale të stafit. Në përfundim, studimi thekson rëndësinë e sistemeve digjitale në modernizimin e menaxhimit të pasurisë publike dhe ofron rekomandime praktike për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit E-Pasuria, forcimin e kontrolleve të brendshme dhe përmirësimin e performancës institucionale në administratën publike të Republikës së Kosovës.Item Efekti i reformës së tatimit mbi të ardhurat personale në të ardhurat neto dhe mirëqenien ekonomike të familjeve në Kosovë(AAB College, 2026-09-10) Restelica, EronKy punim trajton efektin e reformës së tatimit mbi të ardhurat personale në të ardhurat neto dhe mirëqenien ekonomike të familjeve në Kosovë. Me fokus të veçantë janë trajtuar ndryshimet fiskale të zbatuara gjatë vitit 2024. Reforma ka sjellë ndryshime në shkallët tatimore, me qëllim të uljes së barrës fiskale për kategoritë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, rritjen e të ardhurave të disponueshme dhe përmirësimin e drejtësisë sociale. Në këtë kontekst, studimi synon të analizojë ndikimin real të këtyre ndryshimeve në gjendjen ekonomike të familjeve dhe perceptimet e qytetarëve lidhur me sistemin e ri tatimor. Metodologjia e përdorur në këtë hulumtim bazohet në qasje sasiore, përmes shpërndarjes së pyetësorëve te 100 respondentë nga kategori të ndryshme sociale dhe ekonomike në Kosovë. Të dhënat e mbledhura janë analizuar përmes metodave statistikore deskriptive dhe interpretuese, duke u fokusuar në ndikimin e reformës në të ardhurat mujore, konsumin, kursimet, barazinë sociale dhe mirëqenien ekonomike. Rezultatet e studimit tregojnë se reforma tatimore ka pasur ndikim pozitiv në rritjen e të ardhurave neto për një pjesë të konsiderueshme të familjeve, veçanërisht për ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Gjithashtu, një pjesë e respondentëve vlerësojnë se sistemi i ri ka kontribuar në reduktimin e pabarazive ekonomike dhe në rritjen e drejtësisë fiskale. Megjithatë, ndikimi në konsum, kursime dhe përmirësim të përgjithshëm të mirëqenies ekonomike rezulton më i kufizuar, për shkak të faktorëve të jashtëm si inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës. Në përfundim, studimi arrin në konstatimin se reforma e tatimit mbi të ardhurat personale përfaqëson një hap pozitiv drejt një sistemi fiskal më të drejtë dhe më funksional në Kosovë, por efektet e saj të plota varen edhe nga zhvillimet e tjera ekonomike dhe sociale në vend. Punimi ofron rekomandime për përmirësime të mëtejshme në politikat fiskale dhe sociale, me qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e barazisë ekonomike.
