Medical Sciences

Permanent URI for this collectionhttps://repository.aab-edu.net/handle/123456789/17

Browse

Search Results

Now showing 1 - 10 of 34
  • Item
    MENAXHIMI I REPARTIT TË ORTOPEDISË NË SPITALIN RAJONAL TË PEJËS DHE KËNAQSHMËRIA E PACIENTËVE ME SHËRBIME SHËNDETËSORE
    (AAB College, 2026-03-31) Berisha , Greta
    Ky studim shqyrton lidhjen ndërmjet menaxhimit të repartit të ortopedisë në Spitalin Rajonal të Pejës dhe kënaqësisë së pacientëve me shërbimet shëndetësore. Menaxhimi efektiv i burimeve njerëzore, pajisjeve dhe proceseve organizative është thelbësor për sigurimin e kujdesit cilësor dhe përmirësimin e përvojës së pacientit. Hulumtimi mbështetet në një qasje kuantitative me analizë përshkruese dhe inferenciale, duke mbledhur të dhëna përmes një pyetësori me 100 pacientë dhe intervistash me 20 profesionistë shëndetësorë. Instrumentet e përdorura matën elemente si shpejtësia e shërbimeve, qasja në informacion, cilësia e pajisjeve dhe komunikimi me stafin mjekësor. Rezultatet pritet të tregojnë se menaxhimi i mirë i stafit, disponueshmëria e pajisjeve moderne dhe komunikimi i hapur kanë një ndikim të dukshëm pozitiv në kënaqësinë e pacientëve. Analiza statistikore do të realizohet me programin SPSS, duke përdorur metoda si testi korelacionit Pearson dhe regresioni linear për të identifikuar lidhjet ndërmjet variablave kryesorë. Gjetjet e këtij studimi synojnë të ofrojnë rekomandime praktike për optimizimin e proceseve menaxheriale, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e rolit të stafit në ofrimin e një kujdesi të sigurt dhe efikas. Përfundimet e punimit kontribuojnë në përmirësimin e praktikave menaxheriale në repartet ortopedike dhe në institucione të ngjashme shëndetësore, duke ndihmuar në zhvillimin e një modeli menaxhimi që vendos në qendër nevojat e pacientit dhe rrit standardet e kujdesit mjekësor në nivel rajonal.
  • Item
    Ndikimi dhe menaxhimi i krizave në sistemet shëndetësore: Krahasimi ndërkombëtar me Kosovën - Meta analizë
    (AAB College, 2026-03-31) Kolgeci, Argjira
    Qëllimi i këtij studimi është të analizojë ndikimin dhe menaxhimin e krizave shëndetësore në sistemet shëndetësore të Koresë së Jugut, Italisë, Zelandës së Re dhe Kosovës, me fokus të veçantë në pandeminë COVID-19, duke identifikuar faktorët që nxisin reziliencën institucionale. Studimi përdor një metodologji rishikimi sistematik dhe meta-analize të literaturës shkencore dhe raporteve institucionale, duke ndjekur udhëzimet PRISMA. Rezultatet tregojnë se sistemet centralizuese dhe të koordinuara qendrore (Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re) shfaqën përgatitje të lartë parapandemike, planifikim emergjent efektiv, përdorim të teknologjive digjitale për gjurmimin e kontakteve dhe menaxhim spitalor të organizuar, duke rezultuar në norma të ulëta vdekshmërie nga COVID-19. Italia, me sistem decentralizues, përballej me vështirësi koordinimi dhe mbingarkesë spitalore, ndërsa Kosova, me sistem fragmentar dhe burime të kufizuara, reagoi me vonesë, duke u mbështetur kryesisht në bashkëpunimin ndërkombëtar. Analiza nënvizon rëndësinë e qeverisjes efektive, stafit të trajnuar, infrastrukturës, financimit adekuat dhe planeve të qarta emergjente si elementë kyç për ndërtimin e një sistemi shëndetësor elastik dhe rezistent ndaj krizave shëndetësore dhe natyrore. Ky studim evidencon se vendet me struktura të forta dhe strategji të qarta për krizën janë më të përgatitura dhe rezistente, ndërsa vendet me burime të kufizuara, si Kosova, janë më të prekshme ndaj krizave globale shëndetësore dhe natyrore, duke treguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e kapaciteteve shëndetësore.
  • Item
    NDIKIMI I MOTIVIMIT MENAXHERIAL NË PËRMIRËSIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE QKMF PRIZREN
    (AAB College, 2026-03-31) Brahaj , Fatime
    Motivimi i punonjësve përfaqëson një komponent thelbësor në arritjen e cilësisë së lartë të shërbimeve shëndetësore, veçanërisht në institucionet publike ku dinamika e punës është e ndërlidhur ngushtë me menaxhimin efektiv. Në këtë kuadër, roli i menaxherit është vendimtar për krijimin e një mjedisi pune që nxit angazhim, performancë dhe kënaqësi në punë. Qëllimi i këtij studimi është të analizojë ndikimin e motivimit menaxherial në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në QKMF Prizren, si dhe të identifikojë faktorët kryesorë motivues që ndikojnë në performancën e stafit. Metodologjia është bazuar në një qasje kuantitative, duke përdorur një pyetësor të strukturuar, të administruar te punonjësit shëndetësorë të QKMF-së. Të dhënat janë analizuar përmes statistikave përshkruese, me qëllim të identifikimit të perceptimeve të stafit rreth motivimit dhe praktikave menaxheriale. Rezultatet kryesore treguan se faktorët më të rëndësishëm motivues për punonjësit përfshijnë njohjen e arritjeve, mundësitë për avancim në karrierë, përfshirjen në vendimmarrje, trajnimet profesionale, si dhe shpërblimet monetare. Gjithashtu, u evidentua se stafi vlerëson lart menaxhimin që siguron mbështetje e komunikim efektiv. Përfundimet sugjerojnë se motivimi menaxherial ndikon dukshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Menaxherët duhet t’i identifikojnë nevojat individuale të stafit dhe të aplikojnë një gamë të gjerë strategjish motivuese për të përforcuar angazhimin dhe performancën profesionale, duke kontribuar kështu në objektivat organizative dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
  • Item
    ROLI I INFERMIERIT NË TRAJTIMET MJEKËSORE PREVENUESE, META-ANALIZË.
    (AAB College, 2026-03-31) Baraliu , Eliza
    Parandalimi në shëndetësi përfshin ndërhyrjen për të shmangur sëmundjet dhe lëndimet. Strategjitë efektive për shëndetin parandalues mbështeten në statistika të sakta shëndetësore për të rritur ndikimin e tyre. Ky aktivitet përshkruan nivele të ndryshme të parandalimit dhe nxjerr në pah modifikimet e stilit të jetës dhe sjelljes si qasje kryesore për të zvogëluar rrezikun e sëmundjes. Ky punim masteri ka për qëllim të vlersojë në mënyrë shkencore dhe krahasuese se sa I rëndësishëm dhe efektiv është roli I infermierit në trajtimet mjekësore që synojnë parandalimin sëmundjeve, duke përdorur të dhënat e shumë studimeve tjera shkencore të publikuara. Rishikimi është realizuar duke ndjekur udhëzimet e Elementeve të Preferuar për Rishikimet Sistematike dhe Meta-Analizat (PRISMA). Këto udhëzime ofruan një strukturë të qartë për raportimin e rishikimeve sistematike dhe meta-analizave, duke siguruar që informacioni të ishte i plotë dhe i besueshëm. Në përputhje me PRISMA-n, janë përdorur kritere specifike për të dokumentuar metodologjinë, kriteret e përfshirjes dhe objektivat e studimit. Rezultatet e studimeve ofruan një pasqyrë të ndikimeve të rëndësishme të rolit të infermierit në trajtimet mjekësore prevenuese. Komunikimi joefektiv nga profesionistët e kujdesit shëndetësor rëndon mungesën e ndërgjegjësimit për lidhjen midis parandalimit dhe trajtimit te semundjes.
  • Item
    NDIKIMI I MUNGESAVE TË BARNAVE NGA LISTA ESENCIALE E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË NE CILËSINË E SHËRBIMEVE MJEKËSORE NË QKMF NË DEÇAN
    (AAB College, 2026-03-31) Dautaj, Albiana
    Mungesat e barnave nga lista esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë përbëjnë një problem të vazhdueshëm për sistemin publik shëndetësor në Kosovë, duke ndikuar veçanërisht në funksionimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare. Në QKMF-në e Deçanit, këto mungesa janë shndërruar në një faktor që cenon trajtimin e pacientëve dhe rrit barrën ekonomike mbi ta. Qëllimi i këtij studimi është të vlerësojë ndikimin që kanë mungesat e barnave esenciale në cilësinë e shërbimeve mjekësore në QKMF në Deçan, përmes analizës së perceptimeve të pacientëve dhe stafit shëndetësor. Është realizuar një studim kuantitativ me dizajn jeksperimental, përmes pyetësorëve të strukturuar të shpërndarë te 50 pacientë dhe 20 profesionistë shëndetësorë. Të dhënat janë analizuar përmes metodave statistikore përshkruese, korelacionitPearson, analizës së regresionit linear dhe testit Chi-Square. Rezultatet treguan se mungesat ndodhin shpesh dhe zgjasin disa ditë, duke ndikuar negativisht në procesin e trajtimit dhe kënaqësinë e pacientëve. Është vërejtur një lidhje statistikisht domethënëse ndërmjet blerjes së barnave jashtë QKMF-së dhe perceptimit për ndikim negativ në shërim (r = .498, p < .01). Ndërkohë, analizat mbi perceptimet e stafit treguan mungesë koherence në raportim dhe në ofrimin e alternativave terapeutike. Studimi konfirmon se mungesat e barnave janë një faktor që cenon seriozisht cilësinë e shërbimeve shëndetësore në kujdesin parësor. Rekomandohet azhurnimi i listës esenciale, ndërtimi i një sistemi efektiv të raportimit të mungesave dhe përfshirja aktive e profesionistëve në menaxhimin e barnave për të garantuar trajtim të qëndrueshëm dhe dinjitoz për pacientët.
  • Item
    VLERËSIMI I QASJES DHE KËNAQSHMËRISË ME SHËRBIME SHËNDETËSORE PUBLIKE NË KOMUNËN E PRIZRENIT
    (AAB College, 2026-03-31) Kolshi, Zana
    Qasja dhe kënaqshmëria me shërbimet shëndetësore publike janë tregues kyç të performancës së sistemit shëndetësor. Vlerësimi i perceptimeve të qytetarëve ndihmon në identifikimin e pikave të forta dhe dobësive në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Ky studim fokusohet në vlerësimin e mënyrës se si banorët e Komunës së Prizrenit e perceptojnë qasjen dhe kënaqshmërinë ndaj shërbimeve shëndetësore publike të nivelit parësor.Qëllimi i këtij studimi është të vlerësojë nivelin e qasjes dhe kënaqshmërisë së qytetarëve ndaj shërbimeve shëndetësore publike në Prizren, si dhe të identifikojë faktorët që ndikojnë në këto perceptime dhe në cilësinë e kujdesit shëndetësor.Hulumtimi është realizuar përmes një qasjeje kuantitative, duke përdorur një pyetësor me 18 pyetje të strukturuara, i cili është shpërndarë tek 100 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Pyetësori përfshinte të dhëna socio-demografike dhe pyetje që lidhen me qasjen, cilësinë e shërbimit dhe nivelin e kënaqshmërisë. Të dhënat e mbledhura janë analizuar përmes metodave statistikore për të identifikuar modelet dhe lidhjet midis variablave. Gjetjet tregojnë se shumica e qytetarëve raportuan nivel të moderuar deri të lartë kënaqshmërie me shërbimet shëndetësore, megjithëse u evidentuan shqetësime lidhur me kohën e pritjes, disponueshmërinë e stafit dhe infrastrukturën. Qasja ndaj kujdesit shëndetësor u vlerësua përgjithësisht si e mirë, ndërsa dallime të lehta në perceptime u vunë re në bazë të moshës, arsimimit dhe statusit të punësimit. Studimi arrin në përfundimin se, megjithëse shërbimet shëndetësore publike në Prizren perceptohen pozitivisht, nevojiten përmirësime në efikasitet, infrastrukturë dhe përqendrim më i madh në kujdesin e orientuar drejt pacientit. Përmirësimi i komunikimit dhe rritja e cilësisë së shërbimeve do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e kënaqshmërisë dhe besimit të qytetarëve ndaj sistemit shëndetësor publik.
  • Item
    SFIDAT NË USHTRIMIN E PROFESIONIT TË INFERMIERIT NË SEKTORIN PRIVAT NË KOSOVË
    (AAB College, 2026-03-31) Rushiti, Kaltrina
    Ky punim ka për qëllim të analizojë sfidat me të cilat përballen infermierët që ushtrojnë profesionin e tyre në sektorin privat në Kosovë. Hulumtimi është fokusuar në identifikimin e faktorëve që ndikojnë në kushtet e punës, sigurinë profesionale, pagesën dhe motivimin e infermierëve, si dhe në krahasimin e këtyre elementeve me sektorin shtetëror. Për realizimin e studimit është përdorur metoda kuantitative, ku si instrument është përdorur një pyetësor me 25 pyetje. Të dhënat e mbledhura janë përpunuar dhe interpretuar me qëllim që të nxirren përfundime të besueshme mbi situatën aktuale të profesionit të infermierit në sektorin privat. Rezultatet treguan se infermierët në sektorin privat përballen me paga më të ulëta, kontrata më pak të sigurta dhe mbështetje të kufizuar institucionale, por në disa raste kanë kushte më fleksibile të punës dhe mundësi më të shpejta për punësim. Nga ana tjetër, sektori publik ofron më shumë stabilitet, por më pak mundësi avancimi dhe ngarkesë më të lartë burokratike. Në përfundim, studimi tregon se nevojiten përmirësime të dukshme në politikat e punësimit, rritje e transparencës dhe forcim i mekanizmave për mbrojtjen profesionale të infermierëve. Zbatimi i rekomandimeve të propozuara do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në motivimin e stafit infermieror në Kosovë.
  • Item
    Përdorimi i Internetit për Marrjen e Informacionit Shëndetësor nga Qytetarët e Kosovës: Një Vlerësim përmes Pyetësorit eHealth Impact Questionnaire (eHIQ)
    (AAB College, 2026-03-31) Bimbashi, Elida
    Qëllimi i këtij punimi është të vlerësojë nivelin dhe mënyrën e përdorimit të internetit për informim shëndetësor në mesin e qytetarëve të Kosovës, si dhe të analizojë ndikimin e këtyre informacioneve në qëndrimet dhe sjelljet e tyre shëndetësore. Ky studim ka natyrë kuantitative, dhe të dhënat janë mblidhur përmes një ankete online të realizuar me 100 qytetarë të Kosovës, përzgjedhur në mënyrë rastësore nga mjedise të ndryshme (qytet dhe fshat).Është përdorur pyetësori i standardizuar “eHealth Impact Questionnaire (eHIQ)”, i zhvilluar nga Kelly, L., Ziebland, S., & Jenkinson, C. (2015), i cili mat ndikimin e informacionit shëndetësor në internet. Pyetësori është shpërndarë përmes Google Forms Testimi i hipotezave tregoi se variablat demografike si gjinia, mosha dhe statusi arsimor nuk kanë ndikim të rëndësishëm në sjelljet dhe qëndrimet e pjesëmarrësve ndaj përdorimit të internetit për informacion shëndetësor. Testet statistikore (Mann-Whitney dhe korelacionet Pearson) rezultuan me p-vlera më të mëdha se 0.05, duke bërë që në të gjitha rastet të mbahet hipoteza zero. Kjo nënkupton se përdorimi i internetit për kërkim, marrje vendimesh shëndetësore apo besimi ndaj faqes nuk ndryshon ndjeshëm në bazë të moshës, gjinisë apo nivelit arsimor. Në përfundim, rezultatet sugjerojnë se këto sjellje janë të ngjashme në të gjitha grupet demografike të studiuara.
  • Item
    QËNDRIMET E MJEKËVE DHE PACIENTËVE TË QKMF PRISHTINË LIDHUR ME NDIKIMIN E PLATFORMËS VIBER DHE INTELIGJENCES ARTIFICIALE NË KËSHILLIMIN E PACIENTËVE
    (AAB College, 2026-03-31) Loshi, Albulena
    Ky studim kishte për qëllim të shqyrtojë ndikimin e inteligjencës artificiale (IA) dhe këshillimit virtual përmes platformave digjitale, veçanërisht Viber, në këshillimin e pacientëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, si dhe të analizojë perceptimet dhe përvojat e mjekëve dhe pacientëve lidhur me aksesin, cilësinë e shërbimit dhe efikasitetin. Hulumtimi u bazua në një qasje kuantitative, përmes dy anketave të strukturuara të realizuara me mjekë (n = 10) dhe pacientë (n = 40) që kishin përdorur këshillimin virtual përmes Viber-it. Rezultatet treguan se mjekët e vlerësojnë Viber-in si një mjet shumë të lehtë për komunikim, i cili redukton vizitat e panevojshme dhe përmirëson menaxhimin e kohës. Rreth 80% e mjekëve e konsideruan inteligjencën artificiale si faktor kyç për personalizimin e këshillimit dhe reduktimin e gabimeve mjekësore. Pacientët raportuan përvojë shumë pozitive, ku 100% e tyre e vlerësuan këshillimin virtual si “shumë të mirë”. Po ashtu, koha mesatare e pritjes u reduktua nga 30 minuta në 10 minuta, ndërsa ngarkesa e mjekëve ra nga 70% në 40%. Studimi thekson se integrimi i inteligjencës artificiale dhe platformave virtuale përmirëson ndjeshëm efikasitetin, aksesin dhe cilësinë e këshillimit në kujdesin parësor. Këto gjetje sugjerojnë nevojën për implementimin e mëtejshëm të zgjidhjeve digjitale dhe integrimin e tyre me sistemet e dosjeve elektronike shëndetësore për të rritur sigurinë, standardizimin dhe cilësinë e shërbimeve.
  • Item
    VLERËSIMI I KËNAQSHMËRISË SË PACIENTËVE ME SHËRBIMET SHËNDETËSORE NË SPITALIN E GJILANIT
    (AAB College, 2026-03-31) Mehmeti, Mehmet
    Ky studim kishte për qëllim të shqyrtojë nivelin e kënaqësisë së pacientëve me shërbimet shëndetësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit, si dhe të analizojë faktorët kryesorë që ndikojnë në perceptimet dhe përvojat e pacientëve. Hulumtimi u fokusua në vlerësimin e dimensioneve të ndryshme të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, duke përfshirë disponueshmërinë e shërbimeve, komunikimin me personelin mjekësor, cilësinë e kujdesit, infrastrukturën e spitalit, kohën e pritjes dhe përballueshmërinë financiare. Rezultatet treguan se pacientët raportuan një nivel mesatar të kënaqësisë me kushtet dhe shërbimet shëndetësore të ofruara (M = 3.16). Niveli më i ulët i kënaqësisë u lidh me infrastrukturën dhe aspektet teknike të spitalit, ndërsa niveli më i lartë me besueshmërinë dhe sigurinë nga ana e ofruesve të shërbimeve shëndetësore. Pritshmëritë e pacientëve rezultuan më të larta se përvojat e tyre reale. Gjithashtu, pacientët shprehën skepticizëm lidhur me aftësitë dhe profesionalizmin e mjekëve, ndërsa kujdesi i vazhdueshëm nga infermierët u perceptua si jo gjithmonë i mundur. Koha e pritjes u identifikua si relativisht e gjatë nga shumica e pacientëve. Në aspektin e përballueshmërisë financiare, pacientët raportuan një nivel më të lartë kënaqësie (M = 3.56), pasi shërbimet spitalore janë falas dhe shpenzimet shtesë konsiderohen të ulëta dhe të përballueshme. Studimi thekson nevojën për ndërhyrje të synuara, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, reduktimin e kohës së pritjes dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Këto gjetje tregojnë se përmbushja e nevojave dhe pritshmërive të pacientëve është thelbësore për rritjen e kënaqësisë dhe përmirësimin e përvojës së tyre.